Rihapet 'Gërdeci', Fatmir Mediu në 'duart' e SPAK
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur rihapjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me dosjen e Gërdecit. GJKKO pranoi kërkesën e SPAK, e cila kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë për pushimin e hetimeve.
SPAK kërkon rigjykimin e Mediut për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe mbetën qindra të plagosur. Rikthimi i dosjes ‘Gërdeci’, tashmë do të kalojë në Gjykatën e Lartë për rekurs nga Prokuroria e Posaçme. Nëse Gjykata e Lartë pranon rekursin e SPAK që Fatmir Mediu të rigjykohet, atëherë do të ketë betejë ligjore mes Prokurorisë së Posaçme dhe avokatëve mbrojtës të Mediut, të cilët do të kërkojnë paraqitjen e dokumenteve dhe provave. Shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars 2008 rreth orës 12:05, dhe nga shpërthimi humbën jetën të paktën 26 persona. Shpërthimi ndodhi në një fabrikë për demontimin e armëve. Demontimi i armëve ishte një prioritet që qeveria e shtetit shqiptar kishte marrë përsipër për anëtarësimin në NATO. Shpërthimi shkaktoi me qindra të plagosur dhe shumë shtëpi pësuan dëmtime të shumta. Tre ditë pas tragjedisë, më 18 mars 2008, nga qeveria u shpall ditë zie kombëtare dhe protesta të shumta qytetare vijuan. Mediu do të jepte dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë. Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin, ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “...përgjegjësi morale”.
![](https://i.ytimg.com/vi/68zh13pCVcE/maxresdefault.jpg)