#ervismartinaj #gijotina
Mbrëmjen e 10 gushtit 2022, familjarë të Ervis Martinajt, i njohur ndryshe dhe si “Mbreti” i lojërave të fatit, denoncuan në polici zhdukjen e tij. Ai ishte në “arrati” që prej 19 majit, kur Prokuroria e Posaçme dështoi ta ndalonte gjatë operacionit të koduar “Golden Bullet”. Ashtu si krerët e tjerë të tetë organizatave kriminale të akuzuara për krime të rënda, përfshi vrasje dhe porositje të ekzekutimeve me pagesë, Martinaj nuk u ndalua nga policia dhe prokuroria, që arritën të prangosin vetëm ata që cilësohen si ushtarë të drejtuesve të këtyre bandave.
Hetimet e kryera bazuar në denoncimin e të afërmve të tij zbuluan se Martinaj qarkullonte i qetë në Shqipëri, duke frekuentuar edhe vende lehtësisht të aksesueshme nga kushdo në kryeqytet. Madje rezultoi se gjatë kohës që ishte në kërkim, ai përdorte si shofer dhe informator një efektiv të forcave operacionale të Policisë së Shtetit, Jeton Lamin, i cili u arrestua për "shpërdorim detyre".
Menjëherë pas denoncimit të kryer nga familjarët e Martinajt, se prej 9 gushtit kishin humbur çdo kontakt me të, në media u servirën disa skenarë të mundshëm të ngjarjes - ku ngriheshin dyshime për inskenim të mundshëm të tij me qëllim që t’u shmangej goditjeve të bandave rivale dhe kërkimit ndërkombëtar; se mund të ishte rrëmbyer dhe ekzekutuar, duke u etiketuar si pikëmbërritje të fundit të 40-vjeçarit, Vlora, Shijaku apo Vora. Madje, u raportuan edhe skenarë me copëtim të trupit.
Policia dhe prokuroria kanë heshtur gjatë kësaj kohe, duke mos pasur një version zyrtar për ngjarjen.
Ndërkohë si rrallë herë më parë, për fatin e mundshëm të Ervis Martinajt kanë folur dy eksponentët kryesorë të politikës shqiptare.
Kryeministri, njëkohësisht kryetari Partisë Socialiste në pushtet, Edi Rama, ka dhënë disa deklarata. Pak javë më parë, gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, kryeministri Rama foli me tone kritike për policinë lidhur me pamundësinë për të pasur një version konkret për ngjarjen.
“Policia e Shtetit, sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra. Kush e ka penguar ta thotë?”, deklaroi Rama dhe kërkoi që drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit, të sigurohej që “kjo dilemë të merrte fund sa më parë”. “Nëse i kërkuari është vrarë, ti thuhet publikut që ky është vrarë, nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë”, kërkoi Rama.
Një javë më parë, Rama ndryshoi qëndrim duke konfirmuar para gazetarëve se pak a shumë, dihej çfarë kishte ndodhur, por sipas tij, nuk mund të thuhej zyrtarisht, pasi kërkonte të ishte e provuar.
Të njëjtën përgjigje dhanë në interesim të gazetarëve, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Muhamet Rrumbullaku, të cilët këmbëngulën se do të flitet kur të ketë prova.
Ndërsa kreu i pjesës së Partisë Demokratike, i rizgjedhur së fundmi nga e ashtuquajtura "Foltorja", Sali Berisha pasi u shpreh se Ervis Martinaj ishte nga personat më të rëndësishëm në tregun e basteve, theksoi se pas eliminimit ose largimit të tij qëndron vëllai i kryeministrit, Olsi Rama. Sipas Berishës, Rama është njeriu në hije i basteve.
Ai e lidhi këtë deklaratë edhe me faktin se pas denoncimit për zhdukjen e Ervis Martinajt, kryeministri Rama deklaroi se do të rilegalizohej tregu i bixhozit.
Martinaj njihet di person i afërt i drejtuesve të opozitës dhe dyshohet se një pjesë e të ardhurave që krijonte i kalonte në funksion të tyre. Këto dyshime janë ngritur pikërisht pas disa përgjimeve, që prokuroria i ruan me zell të madh, ku flitet se Martinaj ka folur me disa drejtues mediash, por edhe me politikanë të ndryshëm, deri te djali i ish-kryeministrit Berisha.
Megjithatë, pas afro një muaji e gjysmë, ende nuk ka një version përfundimtar për zhdukjen e “Mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinaj dhe duket se policia dhe prokuroria nuk po arrijnë të gjejnë provat për të konfirmuar versionin e tyre, që po e mbajnë “sekret”. Ose asnjëra nuk duan, duke pasur parasysh faktin se Martinaj lëvizte i lirshëm, ndërsa ishte person në kërkim. Këtë e vërteton fakti që gjatë kohës që ishte në kërkim, Martinaj kishte rrahur një person në qytetin e Laçit, por përsëri, policia nuk kishte mundur ta gjente.
I lindur në Burrel në vitin 1982, Ervis Martinajt dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale në Tiranë. Para përplasjes së armatosur në ish-Bllok më 4 tetor 2018, ngjarje për të cilën u dënua nga gjykata e Tiranës, ai është hetuar për vrasjen e Enton Nikës në vitin 2015, por u shpall i pafajshëm për këtë ngjarje. Ndërkohë, Martinaj është dënuar katër herë për organizim lotarish të pa lejuara.
Ещё видео!