Lajme arkiva 2007
Sado thellë të rrëmosh nuk mund të gjesh në historinë e një kombi datën e saktë të krijimit të tij, por ditën e lirisë padyshim e gjen të theksuar në ç’do kalendar. Ne shqiptarët me rrënjë të thella në këtë vend kemi me ç’mburremi për vjetërsi në këto troje, por lirinë për të jetuar në tokën tonë e fituan më pak se një shekull më parë. Atëherë kur edhe pse luftërat s’kishin përfunduar, hodhëm tej qyrkun turk për të veshur rrobën e pavarësisë, pa kuptuar ndoshta as vetë se kjo rrugë e re do të kishte dhe të papriturat e saj të pakëndshme dhe jo pak herë do të na shndërronte në armiq të njëri tjetrit.
Aq sa gjysma e burrave që firmosën mbi dokumentin ndoshta më të rëndësishëm të Shqipërisë do të vriteshin, burgoseshin apo në rastin më të mirë do të vdisnin të harruar larg Shqipërisë. Ky do të ishte fati i shumë patriotëve që ju bashkuan Ismail Qemalit në rrugëtimin e tij të njohur historik, por të përpunuar dhe të keqtrajtuar në një regjim diktatorial që këtë pjesë të historisë e serviri sipas skenarit Enverist, ku nuk munguan harresat e qëllimshme, fotomontazhet, fshehja e dokumenteve apo në rastin më të keq përfshirja në këtë ngjarje të rëndësishme e familjarëve të diktatorit. Por e gjitha kjo ka një zanafillë.
Në vjeshtën e vitit 1912, pasi Shqipëria rrezikonte copëtimin e saj nga shtetet fqinj, Austro-Hungaria u shpreh e gatshme të nxiste dhe të mbështeste pavarësinë e saj.
At Zef Pllumbi: Austria ishte demek një mike e Turqisë edhe të shtinte Ismail Qemalin, pra kishte kosto për politikën austriake, prandaj gjithçka do të bëhej pak a shumë tinëz, do të bëhej në mënyrë sekrete edhe përkthyesit i merrte këta se i kishte njerëz shumë besnik, domethënë studentë janë, se i bënte të betoheshin aty që do të mbajnë sekretin para se të niseshin prej Triestes. Atëherë shkojnë me marrë Patër Antonin, po Patër Antoni kishte kthyer në Shqipëri edhe shkon kolegu i tij Patër David Pepa edhe ai domethënë më ka treguar, më ka thënë që e zhvilloi tha, mirë se falurin po ma jep, po s’kam shtizë, ku ta vë, i tha Ismail Qemali, atëherë i tha Bertoldi, shko se ke bajonetën austriake. Unë kur të nisi ty për Shqipëri, këtej, nisi edhe prej Bosnje 40000 trupa.”
Në këtë periudhë ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjithë frontet, ndërsa ushtarët grekë, serbë dhe malazezë kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Valentina Duka: “Por duke parë se Lufta e Parë Ballkanike po shkonte drejt fitores së shteteve aleate, një Shqipëri autonome më nuk kishte vlerë, por i kishte ardhur radha Shqipërisë së pavarur në mënyrë që t’i bëhej fakt si Perandorisë Osmane ashtu sidomos dhe shteteve fqinje monarkët e të cilëve, qeveritë e të cilëve në tavolinat e tyre dypalëshe ose shumëpalëshe kishin vënë në plan copëtimin e tokave shqiptare. Në këto kushte, elita politike shqiptare e udhëhequr në krye të cilës qëndronte Ismail Qemali, e mbështetur dhe e ndikuar sidomos nga Austro-Hungaria bën kalimin e shpejtë po shumë të duhur, nga ideja e autonomisë në atë të pavarësisë.”
Dhe meqë ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi pas përpjekjeve dhe mbështetjes diplomatike, me kërkesë të Ismail Qemalit, diplomatët austro-hungarez, i siguruan delegacionit shqiptar një vapor për të zbarkuar në Durrës. Edhe pse ishte menduar që ngritja e flamurit të bëhej me 22 nëntor në Durrës, me qëllim që të evitonin lëvizjet e mëtejshme në Shqipërinë e trazuar nga lufta, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht të gjithë qytetet që delegatët e tyre t’i nisnin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.
Kështu kuvendi mbarë shqiptar nisi punën më 28 nëntor në orën 2 pasdite dhe propozimi për shpalljen e Shqipërisë sovrane u votua njëzëri, emocionet e tyre patriotët e këtij kuvendi i hodhën në firmën e dokumentit të pavarësisë, cili nuk dihet se ku ndodhet.
Kjo është një kopje e dokumentit të pavarësisë së Shqipërisë firmosur nga 47 burra që sigurisht, nuk do ta mendonin asokohe se për tu bërë pjesë e historisë që nënshkruan duhet të kalonin në sitën 50 vjeçare të retushimit komunist.
Kur festohej 25 vjetori i pavarësisë Lef Nosi, patrioti i shquar përgatiti kopje, gati të ngjashme me origjinalin e dokumentit të pavarësisë, ndërsa origjinali i mbajtur prej tij pati fatin e keq të të zotit.
Nevila Nika: “Kemi gjetur gjurmë të këtij dokumenti, pikërisht në vitin ’37 me rastin e kremtimeve të 25 vjetorit të mëvetësisë së Shqipërisë. Në atë periudhë domethënë në vitin ‘37 qeveria shqiptare vendosi të bëjë një ceremoni të madhe për të përkujtuar këtë ngjarje të madhe të historisë sonë dhe është Lef Nosi..."/tvklan.al
Gazetare: Desada Metaj
SUBSCRIBE to “RTV KLAN” on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Videot e fundit nga Tv Klan i gjeni në faqen [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Facebook: [ Ссылка ]
Follow rtvklan on Instagram: [ Ссылка ]
Programet e Tv Klan mund t’i ndiqni edhe në faqen [ Ссылка ]
![](https://i.ytimg.com/vi/AwJ3GgdMxPU/maxresdefault.jpg)