Sipas fjalorit të Cambridge, ‘influencer’ (influencues/ndikues) është termi që përdoret për dikë që prek ose ndryshon mënyrën se si sillen të tjerët. Në një kuptim të dytë, një person që paguhet nga një kompani për të shfaqur dhe përshkruar produket dhe shërbimet në median sociale, duke inkurajuar njerëz që t’i blejnë.
Thënë këtë e kemi të qartë besoj se, kush janë ata që ndikojnë në jetët tona përditë, por edhe ata që shesin produkte politike apo kompanish. Influencimi nuk është gjë e keqe, është një ndërmjetësim dhe ushtrim kreditesh apo fame. Ai bëhet i dëmshëm kur qëllimet alternohen me makutërinë dhe hipokrizinë. Apo kur influenca fitohet duke u paraqitur si misionar apo njeri që punon për interesin e të tjerëve dhe përfundon duke i korrur për vete ato fryte që erdhën si pasojë e një kauze apo misioni.
Influencers pra, janë në të drejtën e tyre të ushtrojnë ndikimin, i cili mund të burojë nga kauzat, fama apo nga bukuria fizike, por e humbin këtë të drejtë, të paktën në një rast. Kur e keqpërdorin atë duke e kthyer në një lloj skeme piramidale. Duke i mashtruar të tjerët se atë që po ju marrin atyre, ndjekjen, tifozërinë apo kontributin financiar do t’jua kthejnë atyre, një kauze apo shoqërisë.
Në këtë rast kemi të bëjmë me mashtrim, me Sude të internetit. Për ata që nuk e dine, Sudja u bë e famshme si gruaja rome, e pashkollë, që u mori shqiptarëve miliona dollarë, duke u thënë se do t’ua kthente shumëfish. Ajo ishte një prej aktorëve të piramidave dhe kolapsit të vitit 1997.
Kemi patur dy raste sudizmi këto ditë. Të një hoxhe dhe një aktori. Prandaj edhe programi sonte mban titullin ‘sudet e internetit.
![](https://i.ytimg.com/vi/CnyDBMnYxeo/maxresdefault.jpg)