Orët e pasdites së kësaj të premteje e kthyen burgun e sigurisë së lartë në Peqin në një skenë krimi. I dënuari me 32 vite burg, Arben Lleshi u vra me armë zjarri ndërsa Indrit Shaqja një i dënuar tjetër mbeti i plagosur. Autor i ngjarjes së rëndë, rezulton të jetë Sokol Mjacaj, një tjetër i dënuar i cili bëri disa minuta rezistencë pas ngjarjes, por më pas iu dorëzua drejtorit të burgut.
Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht dinamikën e ngjarjes, por burimet thanë se Lleshi mbeti i vrarë nga disa të shtëna në qelinë e tij. Shaqja sipas dinamikës së ringritur dyshohet se është plagosur gabimisht.
Hetuesit ende nuk kanë të qartë se si Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm gjeti një armë zjarri në ambientet e burgut dhe janë duke hetuar për mënyrat se si dhe kur është futur ajo. Dyshimet janë se ajo i është dhënë Mjacajt me anë të një droni gjatë kohës së qëndrimit në ajrim.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja që shkoi në vendin e ngjarjes tha se siguria në burgje nuk ishte cenuar dhe pohoi se Mjacaj do të futej në regjimin 41 Bis, pasi ishte identifikuar si problematik.
“Sot ministri i Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjim të posaçëm për ngjarje të tjera që lidhen me të dënuarin Sokol Mjacaj”, tha ai.
Hetimet janë duke u drejtuar nga Prokuroria e Elbasanit, e cila ndër të tjera është duke verifikuar edhe veprimet e administratës së burgut. Nga ana tjetër, dyshimet e para të hetuesve të çojnë drejt një ngjarje të mirëmenduar dhe që mund të lidhet me hakmarrje të mundshme.
Viktima Arben Lleshi ishte duke vuajtur një dënim të dhënë nga drejtësia Britanike, për vrasjen e një shtetasi në vitin 2012. Ndërsa Indrit Shaqja, është dënuar për vrasjen e dy të moshuarave në vitin 2014, të cilave iu fut në banesë për t’i grabitur.
Për grabitje të dhunshme me pasojë vdekjen është dënuar edhe autori kësaj ngjarje, Sokol Mjacaj, i cili grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre dy turistë çekë në 2015.
Qelitë e burgut të Peqinit, si rrallë herë këtë të premte u morën nën kontrollin e Policisë dhe forcave speciale të RENEA-s. Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë në të gjitha burgjet e vendit është rritur niveli i gatishmërisë.
Tv Klan
SUBSCRIBE to “RTV KLAN” on YouTube for more videos!
Email: info@tvklan.al
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Videot e fundit nga Tv Klan i gjeni në faqen [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Facebook: [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Instagram: [ Ссылка ]
Programet e Tv Klan mund t’i ndiqni edhe në faqen [ Ссылка ]
![](https://i.ytimg.com/vi/I8eabi8QgNY/maxresdefault.jpg)