BE, "shuplakë" Lajçak-ut dhe Borrell-it/ 'Sulmi ishte agresion i pastër terrorist
Provat e paraqitura e bëra publike nga autoritetet ligjzbatuese të Kosovës duket se po bindin Bashkimin Europian që të cilësojë sulmin në veri ndaj policisë si akt të pastër agresioni terrorist.
Kjo deklaratë e zëdhënësit Peter Stano ku thotë se Bashkimi Europian po informohet vazhdimisht mbi sqarimin e rrethanave dhe fakteve të sulmit terrorist, shkon ndesh me deklaratat e ndërmjetësuesve të dialogut, Miroslav Lajçak dhe xhozep Borrell.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun dhe shefi i politikës së jashtme të unionit janë përmbajtur duke folur për një sulm dhe përsëritur retorikën se dy palët duhet të ulin tensionet dhe të rikthehen në tryezën e dialogut. Ftesa për dialog, erdhi në një kohë kur policia e Kosovës përplasej me armë me grupin e armatosur që pushtoi për orë me radhë një manastir në Zveçan, pasi më herët kishin vrarë një efektiv të saj dhe plagosur dy të tjerë. Qëndrimi i zbutur i dy diplomatëve u kritikua në Prishtinë dhe Tiranë. Mungesa e adresimit të drejtpërdrejt të problemit atje ku buron, pra në Beograd i dha zemër Aleksandër Vuçiçit që pak orë pas ngjarjes të dilte me një deklaratë, ku të akuzonte Albin Kurtin për sulmet.
Afrim Bunjaku u vra dhe 2 policë u plagosën rreth orës 02:34 minuta të 24 shtatorit, kur grupet e armatosura sulmuan njësitin e policisë, të cilit e kishin zënë pritë në hyrje të fshatit. Ndërkohë media në Kosovë, thonë se janë vrarë nga policia 7 terroristë serbë të cilët të armatosur rëndë ishin të ngujuar në Manastirin e Banjskës, ndërsa një tjetër është kapur nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë presidenti serb fajëson për gjithçka Albin Kurtin, teksa paralajmëron vendime që do i bëjë publike më vonë.
![](https://i.ytimg.com/vi/Ii-1jsrczkc/mqdefault.jpg)