Ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për abuzim me një rrjet të besuarish të tij me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ka drejtuar SASPAC, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, një agjenci e krijuar nga qeveria Rama 2 në dhjetor të vitit 2021 me drejtor ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili pas largimit nga kabineti ishte lënë në hije.
SPAK gjithashtu vazhdon hetimin për dhënien e koncesionit të sterilizimit, një çështje me vlerë 100 milionë euro, ku Beqaj akuzohet se favorizoi mikun e tij biznesmenin Ilir Rrapaj, një emigrant i cili kapërceu trampolinën dhe mori 100 milionë euro PPP për shërbimet e sterilizimit në spitalet e vendit.
Beqaj e nisi karrierën politike si deputet në vitin 2009, si përfaqësues i PS në Shkodër. Në 2013, ai garoi në Durrës duke e fituar sërish ulësen në Kuvend dhe nisi ngjitjen në qeveri, kohë kur socialistët të sapoardhur në pushtet zgjodhën Beqajn si ministrin e parë të Shëndetësisë në 3 qeveritë që do të pasonin.
Intech + ishte “thembra” e Akilit për ish-zyrtarin e lartë, pasi për shkak të kwsaj kompanie, Gjykata Kushtetuese në vitin 2011, i dogji mandatin pasi e quajti shkelje faktin që kjo kompani kishte fituar fonde publike nga bashkia e Durrësit, në kohën që ai ishte deputet. Kjo kompani kishte fituar nga tenderimet publike mbi 11 milionë dollarë, ndërkohë që aktualisht është kompania e preferuar e AKSHI-t, Agjencisë Kombëtare Shtetërore të Informacionit.
Gjatë kohës që ai ishte ministër, firmosi dhënien e tre koncesioneve shumë të debatuar me një vlerë të përbashkët prej 29.7 miliardë lekësh (212 milionë euro).
Në mars të vitit 2017, kur fushata elektorale kishte filluar dhe socialistët kishin ndezur motorin për mandatin e dytë nën moton “timonin për vete jo për LSI", Beqaj u shkarkua.
Në 2018, bashkëshortja e tij hapi restorantin e njohur si Gzona, një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës.
Pikërisht, ky restorant, i frekuentuar nga njerëzit më të pushtetshëm të kryeqytetit, u bë indicia e parë për prokurorët e SPAK, se pas artit të kuzhinës, në “dollapin” e ish-ministrit ndodhej një skelet i mbushur me fatura fiktive për të rritur kostot e fondeve që vinin nga programet e ndihmës së BE.
![](https://i.ytimg.com/vi/Rma8iyxUjYg/maxresdefault.jpg)