Lideri i Vetëvendosjes është zyrtarisht nga dita e sotme mandatari për kryeministër i Kosovës. Kurti ka refuzuar, sipas mediave në Kosovë, t’i shkojë në zyrë presidentit Thaçi për ta marrë dekretin pas propozimit të mandatarit për formimin e qevrisë. Dekreti i presidentit u përcoll në zyrën e kreu të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për ta njoftuar zyrtarisht për emrin e propozuar. Kryesia e Kuvendit duhet pastaj të thërrasë mbledhjen e Kuvendit në afat prej 15 ditësh.
Presidenti Thaci tha se pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kishte dërguar zyrtarisht Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës,” tha ai.
Kreu I Vetëvendosjes Albin Kurti tha të hënën në mëngjes në një video në Facebook se Vetëvendosje kishte dorëzuar letrën për vendimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës pa arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kurti I bëri përsëri ftesë LDK-së që të merren vesh.
“Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët. E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë lëre.”
Por ka ardhur reagimi nga përfaqësuesja e LDK-së, Melihate Tërmkolli e cila ka reaguar menjëherë pas publikimit të video-mesazhit nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Qenka zgju Kurti në krah të majtë! “Merre ose lëre” do të thotë “lëre”. Pajtohem, por kjo është qasja e tij ndaj LDK-së. No pasaran Albin! Të bëftë mirë VPAN-i!”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes Abër Zaimi, ka thënë se në Vetëvendosje nuk duan krizë institucionale dhe as vonim të buxhetit, që nënkupton se shumë familje do të mbeteshin pa të ardhura, por shtoi se Vetëvendosje nuk mund të presë pafundësisht. Zaimi tha se gjatë dy javëve LV do të vazhdojë të kërkojë koalicion me partinë e Isa Mustafës, në mënyrë që të pengohet plani i presidentit Hashim Thaçi për të penguar qeverinë LV – LDK. “Por, që plani i Thaçit të mos mbijetojë, duhet edhe vendosmëria e LDK-së për koalicion me Lëvizjen. Vetëm dy javë kohë ka”, tha ai. Ndërsa Albulena Haxhiu, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike që t’a ri-mendojë edhe njëherë ofertën për koalicion qeverisës duke thënë se pas dorëzimit të emrit të mandatarit është koha për ndryshim e formim të qeverisë.Haxhiu ka theksuar se Vetëvendosje ka bërë shumë compromise dhe se tani është radha që LDK, të tregojë se e do vërtetë ndryshimin.
![](https://i.ytimg.com/vi/U1f_ccywDpk/mqdefault.jpg)