VLORE - Ndalimi i katër personave të shpallur në kërkim dhe bllokimi i 8 automjeteve luksoze, të cilat kishin mangësi në dokumentacion ose lëviznin me xhama të errët, është bilanci i operacionit “Transpranca 2” i organizuar nga Policia e Vlorës.
Personat e arrestuar nga blutë e qytetit bregdetar ishin shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohen për një sërë veprash penale.
Kështu, u vu në pranga Çelnik Bardhyl Kapaj, 25 vjeç, banues në Fier, i shpallur në kërkim për “Vjedhje me armë” në qendrën tregtare në Fier, kryer në bashkëpunim ku kanë marrë rreth 3 milionë lekë të reja. Gjithashtu në këtë operacion është ndaluar Hekuran Gërbi, 22 vjeç, banues në Vlorë për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, i shpallur në kërkim nga policia e Korçës pasi në automjet iu gjend 54 kg lendë narkotike canabis sativa.
I ndaluari tjetër i operacionit “Transparenca” është Halil Likaj, 21 vjec banues në Mavrovë të Vlorës, i cili u arrestua në flagrancë për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftareke dhe prodhim e shitje lendesh narkotike.
I arrestuari i katërt është Fatmir Xhevit Sulo, 49 vjec banues në Bërdicë të Madhe për vjedhje.
Gjithashtu Policia e Vlorës ka shoqëruar edhe 20 persona të tjerë në kuadër të hetimeve të mëtejshme. Nga policia e qytetit bregdetar mësohet se operacione të tjerë të befasishme do të vijojnë.
![](https://i.ytimg.com/vi/UJ7e4512r78/maxresdefault.jpg)