Lajme Arkiva - TV Klan 2002
Vrasja e deputetit të PD Azem Hajdari është kryer për motive hakmarrje dhe jo për motive politike. Ky është konkluzioni i gjykatës së Tiranës, ku prej më shumë se një viti u shqyrtua dosja për të ashtuquajturën vrasja e shekullit. Tashmë jo për akuzën e vrasjes, për shkak të cilësive të veçanta, por me atë të vrasjes me paramendim për hakmarrje, gjyqtari Arben Micko vendosi burgimin e përjetshëm për Jaho Mulosmanin, si ekzekutor dhe organizator i atentatit të 12 Shtatorit 1998.
Prokurorët sipas gjyqtarit, nuk vërtetuan me prova dhe dëshmitarët që paraqitën akuzën e bashkëpunimit në vrasje për Fatmir Metën dhe Isamedin Haxhinë. Ata u shpallën të pafajshëm për vrasjen, ndërsa Isamedini është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje. Ish-i pandehuri Meta u lirua në sallën e gjyqit, ndërsa Isamedin Haxhia është njohur me vendimin në qelinë e burgut 313, sepse bashkë me vëllain e tij Ismet Haxhinë, refuzuan të merrnin pjesë në seancën e fundit të këtij procesi.
Izet Haxhia ish-truproja i kryetarit të PD Sali Berisha, ka qenë mbështetja kryesore për atentatorët. Fakti që ai gëzonte besimin e kësaj partie dhe të vetë Azem Hajdarit, përbën një provë të pakundërshtueshme për togat e zeza, se pa ndihmën e Izet Haxhisë, ekzekutimi i Azem Hajdarit do të ishte shumë i vështirë. Ismet Haxhia u dënua me 20 vjet heqje lirie, sepse gjykata çmojë se prova dhe dëshmitarët vërtetuan se ai ka qenë në vendin e ngjarjes natën e 12 Shtatorit 98, si dhe është takuar me organizatorët e atentatit.
Dëshmitë e Astrit Muldakës, marrë përmes videokonferencës dhe të Petrit Çakrrit, nuk kanë qenë bindëse për gjykatën. Kjo e fundit shprehu rezerva për besueshmërinë e dy dëshmitarëve. Në vendimin e togave të zeza Astrit Muldaka u cilësua si i pandehur për të njëjtën çështje.
Seanca e fundit e dosjes Hajdari, u shoqërua nga masa ekstreme sigurie, gjatë kohës së zhvillimit të saj. Megjithatë asnjë reagim nuk pati nga i dënuari me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmani. Ai është i vetmi i pandehur i dosjes, i cili gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk ka pasur të pranishëm në sallën ku gjykohej ndonjë familjar ose të afërm.
E papritura e vendimit të gjykatës së Tiranës për çështjen Hajdari ka qenë rrëzimi i pretendimit të prokurorisë, se vrasja është kryer për motive politike. Kryetari i PD Berisha, ishte i pari që e akuzoi qeverinë e atëhershme për organizimin e vrasjes edhe pse ai nuk pranoi asnjëherë të dëshmonte në gjykatë për çështjen./tvklan.al
SUBSCRIBE to “RTV KLAN” on YouTube for more videos!
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web [ Ссылка ]
Videot e fundit nga Tv Klan i gjeni në faqen [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Facebook: [ Ссылка ]
Follow Tvklan on Instagram: [ Ссылка ]
Programet e Tv Klan mund t’i ndiqni edhe në faqen [ Ссылка ]
![](https://i.ytimg.com/vi/Vs5ixySWrmw/maxresdefault.jpg)