Policia e Shtetit në bashkëpunim me atë greke dhe me ndërmjetësimin e Interpol Tirana bënë të mundur lirimin e një pengu dhe arrestimin e 5 personave si autorë të dyshuar të ngjarjes. 4 prej tyre u arrestuan në Greqi, ndërsa një tjetër në Tiranë.
Operacioni nisi pasi policia kishte marrë informacion se një person nga Tirana ishte marrë peng për motive të dobëta dhe mbahej në një fshat të Korinthos në Greqi nga disa shqiptarë që kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë.
“Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka dhënë nëpërmjet Interpol Tirana, Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen (adresën e banimit) të personit të marrë peng dhe pengmarrësve”.
Pikërisht në bazë të këtyre informacioneve, policia greke bëri të mundur arrestimin në flagrancë të Xh.N., 49 vjeç, H.M., 35 vjeçe, B.M., 41 vjeç, dhe M.M., 19 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë u bë i mundur lirimi i pengut.
Në pranga përfundoi edhe një 24-vjeçar me iniciale L. P., po nga Tirana, bashkëpunëtor me personat më lart. Ai u arrestua nga Policia e Tiranës.
Puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje vijon./tvklan.al
![](https://i.ytimg.com/vi/WytZOOhS-cQ/maxresdefault.jpg)