Ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar janë karakterizuar nga ardhja në kabinet e disa ministrave të rinj, të njohur më shumë për angazhimin e tyre profesional sesa atë të angazhimit politik.
Ervin Mete do të jetë ministri i ri i Financave dhe Ekonomisë. Mete ka ushtruar prej majit 2020 detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.
Mete mban pozicionin e negociatorit për kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Me gradën Master nga Universiteti i Harvardit në SHBA, i specializuar në të drejtë korporatash dhe nga Shkolla Ekonomike e Londrës (LSE), në të drejtë fiskale, Z. Mete ka shërbyer më parë si Zëvendësministër i Financave dhe Zëvendësministër i Ekonomisë në periudhën 2013-2017.
Në këto funksione ka qenë përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik.
Mete ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit Kombëtar për “Programin e Reformave Ekonomike me Bashkimin Evropian”, si edhe ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar.
Profili/Kush është Albana Koçiu, ministrja e re e Shëndetësisë
Albana Koçiu është propozuar nga kryeministri Edi Rama për detyrën e Ministres së Shëndetësisë. Koçiu mban pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013 duke qenë një nga drejtueset më jetëgjata në krye të Shërbimit Civil.
Znj. Koçiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës dhe vjen në krye të Departamentit të Administratës Publike pas një eksperience 18 vjeçare në pozicione drejtuese ne administratën qendrore dhe vendore, me fokus të veçantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Njëherazi, Znj. Koçiu ka ndjekur një sërë kursesh dhe trajnimesh profesionale mbi drejtimin, menaxhimin e burimeve njerëzore, rekrutimin efektiv në shërbimin civil, analizën e nevojave për trajnim në administratën publike etj.
Si Drejtor i Departamentit të Administratës Publike, znj. Koçiu kryeson në nivel teknik procesin e Reformës së Administratës Publike, si një ndër prioritetet e vendit drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Profili/ Nga OSBE dhe Ministria e Mbrojtjes. Kush është Igli Hasani, i propozuar si ministër i Jashtëm
Igli Hasani është propozuar në detyrën e ministrit të Jashtëm. Hasani vjen nga një karrierë e gjatë diplomatike. Ai ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në OSBE dhe për 17 vite me radhë ka qenë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes në detyra të ndryshme drejtuese, përfshirë Sekretar i Përgjithsëm i saj, Drejtor i Përgjithhëm i Politikës së Mbrojtjes, Drejtor për NATO dhe Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe drejtor për Integrimin Euroatlantik. Ai është diplomuar për drejtësi, sociologji dhe filozofi në Universitetin e Tiranës dhe ka një master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga ‘Kings College’ i Londrës.
Për më shumë informacione vizitoni faqen tonë web: [ Ссылка ]
Follow SCAN TV në Facebook: [ Ссылка ]
Follow Scan_tv në Instagram: [ Ссылка ]
Follow SCAN TV në Linkedin: [ Ссылка ]
Follow scan_tv në TikTok: [ Ссылка ]
#scantv #ekonomi #lajme #viral #trending #fyp #viralcontent
Ещё видео!