I dënuari me burgim të përjetshëm, Andon Mëhillaj, ka ndërruar jetë gjatë natës në burgun e Peqinit.
Sipas informacioneve paraprake, thuhet se 44-vjeçari mund të ketë ndërruar jetë nga infarkti.
Andon Mëhillaj u konstatua mbrëmjen e kaluar nga gardianët në gjendje të përkeqësuar shëndetësore. Ata e transportuan në spitalin e burgut dhe më vonë në QSUT në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë.
Familjarët e Mëhillajt thanë jashtë kamerave se ai vuante nga zemra që në momentin që hyri në burg. Ata bëjnë përgjegjës strukturat shtetërore se e lanë 44-vjeçarin të izoluar, duke mos i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Mëhillaj u dënua si sekseri që ndërmjetësonte ‘pazaret’ mes biznesmenëve dhe Julian Sinanajt, duke bërë rolin e negociatorit.
Pjesë e bandës ishte dhe kushëriri i tij, Genis Mëhillaj, i cili figuronte në faqen e Interpolit si person në kërkim për “Akte terroriste” dhe “Financim të terrorizmit”.
Ky grup u zbulua pas rrëfimit të të penduarit Julian Sinanaj, i cili i ka shpëtuar dënimit me burg përjetë dhe u dënua me 25 vite heqje lirie.
E ashtuquajtura “Banda e tritolit” u dënua për 38 akuza, përfshi vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës, si dhe për vendosjen e tritolit ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ardian Kollozi.
Tv Klan
![](https://i.ytimg.com/vi/jnyIc8qi7Fk/mqdefault.jpg)