Ky është dokumentari kushtuar atdhetarit Jashar Salihu. Ai ishte intelektual, i cili e faktorizioi UÇK-në para opinionit ndërkombëtar dhe e ndihmoi atë përmes angazhimit në krye të Këshillit për administrimin e "Fondit Vendlindja thërret".
Nga vitet 70, në kohën kur studionte në Prishtinë Jashar Salihu ishte anëtar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve Shqiptare në Jugosllavi. Ishte ndër anëtarët më aktiv të grupeve ilegale të asaj kohe që vepronte brenda organizatës ilegale të quajtur Komiteti për Deçan, në kuadër të lëvizjes së udhëhequr nga ideologu, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla. Bashkë me vëllanë e tij Hajdarin, Ismail Haradinajn, Nazmi Selmanajn, Hasan Ukëhaxhajn, Xhavit Hoxhën, Drita Kuçin, Avdullah Hasanmetajn, Dinë Ahmetajn, Ali Dervishajn, Niman Mustafën e veprimtarë tjerë ishin dalluar për guximin e tyre politik që haptazi ju kundërviheshin qëndrimeve e veprimeve të udhëhequra nga ish-qendrat komuniste të organizuara përmes komiteteve komunale, që binin ndeshë me synimet dhe idealet e lëvizjes së mirëfilltë kombëtare për çlirim nga pushtimet sllave.
Vite më vonë vëllezërit Salihu, punuan në shkollën e mesme “Vëllezërit Frashëri” gjimnazi në Deçan. Më 1 maj të vitit 1990, do ta drejtojë tubimin te Verrat e Llukës, ku kishte më se 500 mijë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, ku do të arriheshin 106 pajtime: 62 gjaqe, 25 plagë dhe 19 ngatërresa.
Në fund të atij viti e arrestojnë dhe e torturojnë barbarisht. Por, asgjë nuk përfundon me kaq, ndjekja e tij do të vazhdojë edhe më tutje, në çdo hap, deri aty sa edhe ta detyrojnë që të marrë rrugën e mërgimit. Veprimtaria e tij politike, në kuadër të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, vetëm se do të shënojë ngritje dhe do të marrë dimensione të reja, të shumanshme.
Duke qenë paraprakisht në hierarkinë më të lartë drejtuese të saj, me nismën e tij në vitin 1993 do të formohet Fondi “Vendlindja thërret”, i cili fillim e mbarim ka qenë në funksion të formimit të vetëfinancimit të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga ky vit, pra që nga koha e themelimit, Jashar Salihu ka qenë kryetar i Këshillit për Administrimin e Fondit “Vendlindja thërret”.
Në sensibilizimin e opinionit perëndimor me të vërtetën për luftën e drejtë të Kosovës kundër forcave kriminale të Slobodan Millosheviqit, roli i Jasharit është i pazëvendësueshëm, dhe, rrjedhimisht, po dëshmohej se jo rastësisht ishte në kuadër të Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Jashar Salihu, ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në Zvicër.
Ai ka nëdruar jetë më 16 dhjetor të vitit 2000 në Arau të Zvicrës.
Jashar Salihu për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është shpallur Hero i Kosovës.
![](https://i.ytimg.com/vi/quU1kVEBKTA/maxresdefault.jpg)