TIRANE - Demokratët paralajmërojnë të tjera protesta kundër qeverisë, duke nënkuptuar njëherësh se bojkoti i tyre parlamentar do të vijojë. Në një deklaratë për mediat dy ditë pas protestës së 22 Nëntorit, lideri i opozitës Lulzim Basha tha se nëse kryeministri Rama nuk reflekton për të mbajtur premtimet elektorale, atëherë populli, tha Basha do të ngrihet sërish në revoltë.
“Zoti kryeministër mbaj premtimet për të cilat je votuar mos e trash më zullumin. Je kthyer në barrën më të padurueshme të këtij vendi. Reflekto ose largohu. Protestat popullore nuk do të ndalen do të vazhdojnë akoma më të fuqishme deri në realizmin e objektivave të shpallura”, - deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Lideri i opozitës u ndal në reagimet e kryeministrit Rama për këtë revoltë qytetare, duke e cilësuar si një provokim nga ana e tij. Protesta e opozitës rastisi në të njëjtën kohë që Rama inauguroi BUNK’ART, tunelin anti-bërthamor të kohës së regjimit komunist të shndërruar tashmë në një ekspozitë –muze të hapur për publikun. Duke ironizuar, Basha tha se kryeministri nuk doli dot nga bunkeri i komunizmit për të parë qindra mijëra qytetarë që protestonin në Bulevard. Madje sipas tij, Rama ka zgjedhur gjuhën e arrogancës dhe të fyerjeve.
“Protesta tregoi hendekun e thellë mes një Shqipërie që digjet nga hallet e shumta dhe qeverie që krihet. Fatkeqësisht Rama nuk doli nga bunkeri dhe s’i pa ata qindra mijë në bulevard, nuk e pa revoltën e një populli, por e pa si sulm të armiqve të brendshme. Rama i hedh benzinë zjarrit me gjuhën e tij të fyerjeve dhe arrogancës. Në emër të Shqipërisë së revoltuar nga keq qeverisja dënoj me forcë qëndrimet provokuese të kryeministrit, dhe i kërkoj të kuptojë situatën eksplozive të vendit , të tregojë ndjeshmëri për Shqipërinë që vuan nga politikat arrogante të qeverisë së tij”, tha kreu demokrat Lulzim Basha.
Kreu demokrat i radhiti kryeministrit Rama të gjitha kërkesat e opozitës për të ndalur sipas tij, rrënimin e mëtejshëm ekonomik të qytetarëve.
Ещё видео!