Tomorri është një mal ne veri - lindje të qytetit të Çorovodës në Shqipëri. Tomori është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më të lartë 2416 metra ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit. Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është fryt i kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.
Tyrbja e Abaz Aliut është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e në qarkun e Beratit, Shqipëri.
Vendi më i rëndësishëm sot botëror i Pelegrinazhit Tyrbja e Abaz Aliut ndodhet larg nga teqeja e Kulmakut, 2 orë në këmbë ose 40 minuta me makinë, në lartësinë 2379 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit. Nga burimet historike jepen të dhëna si një vend besimi nga lashtësia. Sipas baba Ali Tomorit dhe Osman Myderrizit, Eqrem bej Vloras në shek. XV. Mustafa Tusiu dhe Haxhi Baba Horasani ngritën varrin kenotaf të Abaz Aliut, në Çukën e Tomorit. Nga ajo periudhë e deri më sot, pranë varrit të Abaz Aliut, 20 - 25 gusht të çdo viti organizohet pelegrinazhi i besimtarëve bektashinj. Pelegrinazhit i dhanë përmasa gjithnjë e më të mëdha dervish Iliazi dhe baba Ali Turabiu. Sot ky pelegrinazh ka karakter ndërkombëtar. Në të marrin pjesë besimtarë bektashinj, myslimanë, të krishterë, nga gjithë Shqipëria, nga trojet etnike shqiptare, nga diaspora shqiptare dhe nga e gjithë bota, madje pjesëmarrja vjen duke u shtuar vit pas viti, dhe numri arrin në shifrën rekord për pesë ditë, nga 20 deri më 25 gusht për çdo vit, në 250.000 vetë.
Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në ne boten shqiptare ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, besohet se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.
Në zhvillimet e mëvonshme etno-historike e fetare të shqiptarëve, substrati pagan u tregua shumë i qëndrueshëm; ai mbijetoi si një element i vazhdimësisë së traditës mitologjike ilire dhe si shprehje e njësisë shpirtërore të tyre. Vendet e peligrinazheve të epokës pagane dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare, ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një veshje kristiane ose islame. Ky evolucion dhe stagnacion njëherësh është karakteristik edhe për kultin e Tomorit dhe ritet e pelegrinëve në nderim të tij.
Fati i kulteve pagane dhe i vendeve të këtyre kulteve në Shqipëri është i lidhur me historinë fetare në këto treva. Sot në Tomor praktikohet kulti bektashi, por midis këtij të fundit dhe atij të parit, kultit pagan, qëndron kulti i fesë që ndan këto dy periudha fetare, pra kulti i krishterë. Këtë nuk e dëshmon vetëm tradita gojore për ekzistencën e Kishës së Shën Mërisë në mal të Tomorit dhe për peligrinazhin e besimtarëve ortodoksë më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë së gushtit. Edhe në maja të tjera, në veri, në qendër dhe në jug të Shqipërisë, si në majën e Gjallicës e të Pashtrikut, në Shën Llesh të Krujës dhe në majën e Këndrevicës së Kurveleshit, pelegrinët e krishterë festojnë po në mes të gushtit festën e Shën Mërisë. Duke mos dashur ta thyejnë këtë vazhdimësi, bektashinjtë që kanë përvetësuar të paktën një shekull e ca më parë kultin e Tomorit, e organizojnë pelegrinazhin në majë të tij po më 15 gusht të çdo viti. Në këtë pelegrinazh nuk do të merrnin pjesë, si marrin edhe sot, as synitë, as të krishterë, sikur ky kult të mos lidhej me një traditë të lashtë parafetare.
Po sipas M. Hasluck bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër. Ata i besojnë gojëdhënës se Haxhi Babai, duke parë pelegrinë që ngjiteshin në Tomor çdo mes gushti për t’iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbela, mori një dorë dhe nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e hodhi në majë të Tomorit dhe e konsakroi atë si varrin e dytë të shenjtorit. Burime të pavërtetuara bëjnë fjalë për një tyrbe të vitit 1620 kushtuar heroit të Qerbelasë, kurse teqeja bektashiane është ngritur më 1916.
Nga gjithë ky trashëgim pagan dhe postpagan, shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare ruajtën bërthamën pagane dhe iu referuan admirimit gati mistik të ndërgjegjes popullore për kultin e malit në fjalë. Me këtë lëndë ata ndërtuan mitin romantik të malit të Tomorit, në frymën e idealeve patriotike.
![](https://i.ytimg.com/vi/xFNTmOXotpo/maxresdefault.jpg)