Deputetja e PS, Blerina Gjylameti i kërkoi Lulzim Bashës që të japë llogari se ku i ka gjetur një milion dollarët që ka paguar për lobim në SHBA, ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për të zbardhur origjinën e këtyre parave.
“Me Fake News kundër qeverisë, Basha nuk tha asgjë për një milion $ për lobim për SHBA. Kush i pagoi? Nga erdhën? Pse prokuroria nuk nis hetimet? Basha duhet të japë përgjigje sot. Duhet të shpjegojë cfarë bëri në SHBA kur firmosi kontratën, janë 500 mijë dollarë me kompani fantazmë.
Sot jemi në kushtet e rënda të shkeljes së ligjit. Në KQZ nuk figurojnë këto shpenzime, asnjë deklarim në raportin e dorëzuar nga PD. Dyshime serioze për origjinën e parave. Shpenzimet e PD për fushatën janë raportuar vetëm 500 mijë dollarë.
Basha të sqarojë ku i ka gjetur një milion dollarë? Këta që flasin për para të pista, ku i kanë gjetur paratë? Cila është marrëdhënie e Bashës me kompanitë Off shore, në emër të kujt është regjistruar në Belize dhe më pas në kompanitë e tjera? “ përfundoi deputetja e PS.
Por nuk mungoi edhe reagimi i Bashës, i cili disa minuta pas akuzave nga PS reagoi pas daljes nga Kryesia e Kuvendit pas një takimi me deputetët e Ligjeve të PD. Basha i cilësoi si shashka akuzat e PS për lobimin me vlerë një milionë euro në SHBA, ndërsa shtoi se qeveria po tenton që të largojë vëmendjen nga skandalet.
“Një shashkë e bazuar në mashtrime që s’mund të largojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të kësaj qeverie as nga një skandal i madh që është vënë në dijeni të opozitës nga burime të partnerëve dhe po studiohet nga ekspertët tanë të sigurisë dhe të ligjeve. Këto fakte dhe të tjera të sjella në vëmendjen e opozitës do ti bëhen të njohura publikut” tha ai.
![](https://i.ytimg.com/vi/zW-_jXTtJEM/maxresdefault.jpg)