Unë Ricikloj, katër kosha për të ndarë mbeturinat tuaja! Ishte viti 2002, atëherë kur çdo lagje e Tiranës i ngjante një katrahure. Atëherë, filloi edhe prishja e ndërtimeve pa leje. Ishte koha kur kishte dalë në modë hedhja e mbeturinave nga dritarja, pak rëndësi kishte se nga cili kat mund të binin ato. Enedi, atëherë ishte vetëm 20 vjeç, por nuk kishte turp të dilte me lopatë për të pastruar Tiranën. Dilte çdo të shtunë nëpër lagjet e Tiranës për të pastruar ambientet e mbuluara nga mbeturinat. Atë kohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nuk besonte që Tirana do të shndërrohej në një qytet aq të pastër falë nismës së këtij të riu. Por, pasi pa rezultatet e para, ishte vetë ai që iu bashkua kësaj iniciative për të pastruar qytetin në të cilin ishte zgjedhur kryetar bashkie. Enedi atë kohë kishte bërë thirrje në fakultetin e tij. Ishte viti 2002 dhe ai studionte për Juridik.
Shumë studentë iu bashkuan atëherë nismës së tij. Ai njihet jo vetëm si djali i një ambientalisti, por e ka fituar tashmë edhe vetë këtë status. Ka katërmbëdhjetë vjet që përpiqet të mos e dëmtojë natyrën. Dhe këtë frymë, ai dëshiron që t'ia përcjellë sa më shumë njerëzve. Sot, ai ka nisur një fushatë tjetër sensibilizimi dhe mbrojtjeje. E ka quajtur: "Unë Ricikloj". Kjo është një nismë mjedisore që synon të motivojë komunitetin dhe individët që të jetojnë në një mjedis sa më të pastër. Sepse një mjedis i qëndrueshëm dhe me më pak mbeturina, është fillimi i një jete të shëndoshë. Ndryshe nga shumë fushata ndërgjegjësuese apo takime strategjike për riciklimin, nisma e këtij të riu vjen si nevojë e zgjerimit të shërbimeve dhe punëve ekologjike. Enedi tha për "Shekulli"-n se kjo nismë do të jetë shumë e mirë edhe për ata romë që shpeshherë i shohim të zhytur në kazanët e mbeturinave. Nëse ata e quajnë këtë një formë mbijetesë, atëherë projekti i Enedit do t'i favorizojë ata më shumë se çdo nismë tjetër që është ndërmarrë në këtë vend.
"Nuk janë tërësisht të reja për vendin tonë pamjet kur persona të komunitetit rom i shikonim të zhytur në kazanët e mbeturinave. I kemi parë të gjithë. Ata kanë qenë të rinj, burra dhe gra. Por fatkeqësisht edhe fëmijë të vegjël. Të gjithë duke mbledhur kanoçe nëpër kazanët e plehrave. Një formë riciklimi dhe sigurimi jetese është dhe kjo, por e rrezikshme dhe shfrytëzuese për fëmijët. Ne duam që t'i punësojmë këta njerëz. Sigurisht jo fëmijët",- thotë Enedi në përpjekje për të na rrëfyer projektin e tij. Në fakt është një nga ato projekte të cilët janë mbështetur kudo në botë. Enedi po angazhohet që këtë muaj të vendosë në dhjetë lagjet më të mëdha të Tiranës kosha praktikë e të mëdhenj për mbeturinat e diferencuara. Këta kosha të mëdhenj do të ndahen në katër sektorë: në atë të qelqit, të plastikës, të letrës dhe të mbeturinave organike. Me pak fjalë, mendohet që shumë shpejt Tirana dhe banorët e saj të mësohen që t'i hedhin mbeturinat e tyre në vendin e duhur.
![](https://i.ytimg.com/vi/PuyfhShG3es/maxresdefault.jpg)